Kryeministri i vendit Edi Rama vizitoi sot serat e “Agrocon Albania” në Krutje të Lushnjes, ku po vazhdon investimi për ngritjen e serrave më të mëdha e më moderne në vend. Ai shoqërohej në këtë vizitë nga ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe Drejtori i USAID në Shqipëri, Z. Marcus Johnson.

“AgroCon Albania” zhvillon aktivitetin e saj në fushën e bujqësisë. Veprimtari të tilla konsistojnë në ndërtimin e ambjenteve të mbrojtura për prodhimin e produkteve bujqësore, prodhimin si dhe shitjen me shumicë dhe pakicë të produkteve bujqësore, brënda dhe jashtë Shqipërisë. Shoqëria synon penetrimin e shpejtë dhe të sigurtë në tregun e prodhimit dhe shitjes së produkteve bujqësore jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë, me qellim eksportin e produkteve bujqësore, tek kontraktorë të huaj me të cilët aktualisht shoqëria ka lidhur urat e bashkëpunimit për të ardhmen.

 

“Agrocon Albania”, me një investim në fazën e parë prej 5 milionë euro, po ngre serrat më të mëdha në vend me shtrirje deri në 10 hektarë dhe vlerë totale investimi 25 milionë euro në përfundim të projektit. Aktiviteti i kompanisë përfshin një numër zinxhir procesesh, që nga investimi në prodhimin e produkteve bujqësore në ndërtimi e një qendre të madhe të grumbullimit dhe procesimit të tyre si selektimi dhe ambalazhimi, me qëllim eksportin, kryesisht në tregjet e Europës Perëndimore.