Mirësevini në Agrocon: Serra më gjigande në Shqipëri

Imagjinoni një fushë futbolli. Tani imagjinojeni këtë fushë futbolli të 30-fishuar. Çfarë ju del? Serra më e madhe në Shqipëri. Aq e madhe sa të zerë brenda 30 fusha futbolli. E gjendur vetëm 1 kilometër nga qendra e Krutjes në Lushnjë, e njohur ndryshe si zona e hambarit të Shqipërisë, serra e cila shtrihet në 30 hektarë, do të “strehojë” me miliona domate, speca, pjepër dhe kastravecë me standardet më të larta të cilësisë. Të përkëdhelura nga dielli i ngrohtë i këtij fillim pranvere, lakrat e vogla shpërthejnë në një ngjyrë të fortë jeshile brenda në serrë. Pamja është aq idilike saqë edhe punëtorët që kujdesen për serrën duket sikur rrinë pezull, për të mos e prishur perfekshmërinë e afro 150 ton lakër të vogël gati për t’u shpërndarë në tregje. Sepse produktet bujqësore premtojnë fitim. Edhe Grupi Balfin, i cili ka investuar në këtë serrë moderne, po e sheh bujqësinë nën këtë prizëm. Në një kohë kur bizneset janë të shqetësuara për të ardhmen e investimeve të tyre, ky biznes i kthen sytë fuqishëm nga bujqësia. “Po, sepse është një sektor që premton rritje”, thotë Florian Lama, Manaxheri i Përgjithshëm i kompanisë AgroCon, pjesë e Balfin Group. Projekti, i cili kap shumën 5 milion Euro, shtrihet në 30 hektarë, në një nga zonat më pjellore në vend, ku 10 ha janë serrë me teknologji të lartë dhe 20 ha në fushë të hapur. Falë mbështetjes së USAID dhe Projektit AgroCapital, kjo sipermarrje e re, është ndihmuar për realizimin e financimit përmes një kredie tregtare dhe duke asistuar në zhvillimin e plan biznesit. “Financimi është thelbësor, pasi në këtë mënyrë ne kemi mundësi të rrisim prodhimin dhe të hapim më shumë vende pune. Me kohë të plotë ne kemi parashikuar të punësojmë mbi 180 punëtorë, plus punëtorëve sezonalë”, thotë Lama.

Për shkak të mungesës së standardizimit të produkteve dhe të prodhimit në shkallë të vogël, shumica e bizneseve agro shqiptare i eksportojnë prodhimet e tyre të freskëta në të ashtuquajturën “rruga lindore”, duke përfshirë Serbinë, Maqedoninë dhe eventualisht Rusinë. Megjithatë, së fundmi edhe kanali lindor ka pasur problem, për shkak të bllokadës ruse duke venë sanksione mbi produktet shqiptare si një hakmarrje e embargos evropiane. Pikërisht për të evituar këtë, por edhe për t’u hapur më shumë ndaj tregjeve perëndimore Agrocon nuk do të mbështetet në kanalet lindore dhe do të prodhojë tërësisht për eksportet në tregjet e Evropës Perëndimore. “Ne do të eksportojmë në tërësi në tregun e BE-së. Ne tashmë kemi marrë ofertat e para nga Austria. Gjermania dhe Hollanda për produktet tona “, thotë Lama me entuziazëm për zhvillimin e kësaj sipërmarrjeje të re. Kjo është sera e parë në Shqipëri që ka filluar ngritjen e sistemit për çertifikimin GlobalGap, duke bërë të mundur kështu eksportin në vendet e BE-së. Një sipërmarrje e cila për Drejtorin e USAID, Marcus Johnson do të ishte një model i mirë për t’u ndjekur nga investitorët e tjerë. “Bujqësia është një sektor i rëndësishëm që ka shumë potencial dhe investitorët duhet ta shohin këtë sektor me prioritet”, tha Marcus Johnson, gjatë vizitës në serrën e Agrocon. Kryeministri Edi Rama, gjithashtu i pranishëm në Krutje i ka inkurajuar investuesit që ta shohin bujqësinë me një sy tjetër dhe se do të kenë mbështetjen e qeverisë, në mënyrë që të rriten eksportet dhe të krijohen më shumë vende pune. “Ne do t’iu mbështesim përmes granteve tona kombëtare dhe Fondit të Garancisë, në mënyrë që dhe ju të mund të investoni më shumë”, u shpreh Rama nga Agrocon, serra më e madhe në vend. E shtrirë në 30 hektarë, e bekuar nga dielli i Krutjes dhe e ndihmuar nga teknologjia e lartë diellore për serra, ajo pritet të prodhojë perime dhe fruta të një cilësie tejet të lartë, që do të udhëtojnë drejt tregjeve të BE-së me markën “Made in Albania”.