Mbështetja për bujqësinë, Vlahutin: Mund të shkojë deri në 160 milion euro

foto

Programi i mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural, ka financuar investime në bujqësi dhe agropërpunim në vlerën e 4.5 milionë eurove gjatë katër viteve të fundit. Janë gjithsej 78 fermerë dhe agropëprunues që kanë përfituar nga grantet e Bashkimit Europian dhe qeverisë gjermane.

Në cermoninë përmbyllëse të programit, ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, tha se fondi i mbështetjes për bujqësinë në katër vitet e ardhshme mund të shkojë deri në 160 milionë euro.

“Bashkimi Europian ka planifikuar 71 milionë euro për zhvillimin bujqësor dhe rural të Shqipërisë deri në vitin 2020. Por, ndoshta jo të gjithë e dinë se, në total, kjo shumë mund të shkojë deri në 160 milionë euro, nëse në të përfshijnë edhe bashkëfinancimet e qeverisë shqiptare. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për sektorin bujqësor në Shqipëri. Presim të mbështesim mbi 600 projekte dhe të krijojmë mbi 2700 vende pune, veçanërisht mes të rinjve”, deklaroi Vlahutin.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, tha se ky projekt ka qenë veçërisht i rëndësishëm për të rritur kapacitetet e administratës dhe fermerëve shqiptarë në thithjen e fondeve të Bashkimit Europian.

”Ky projekt ka qenë shumë i dobishëm për rritjen e kapaciteteve tona dhe për të mësuar duke vepruar. Ne jemi gati për procesin e akreditimit, që do të jepte akses në grantin prej 91 milionë eurosh nga Bashkimi Europian. Jemi optimistë se do të rrisim mundësitë për të thithur fondet me qëllim zhvillimin e bujqësisë dhe agropërpunimit”, tha Panariti.

Institucionet shqiptare që do të menaxhojnë skemën e mbështetjes së bujqësisë IPARD janë në proces akreditimi nga Komisioni Europian. Vetëm pas përmbylljes së këtij procesi, Ministria e Bujqësisë, nën mbikëqyrjen e asaj të Financave, do të menaxhojnë skemën e granteve nga Bashkimi Europian për zhvillimin bujqësor.