Kryeministri Edi Rama viziton serat e “AgroCon Albania”

Vizita e Kryeministrit

Kryeministri i vendit Edi Rama vizitoi sot serat e “Agrocon Albania” në Krutje të Lushnjes, ku po vazhdon investimi për ngritjen e serave më të mëdha e më moderne në vend. Ai shoqërohej në këtë vizitë nga ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe Drejtori i USAID në Shqipëri, Z. Marcus Johnson.

“AgroCon Albania” zhvillon aktivitetin e saj në fushën e bujqësisë. Veprimtari të tilla konsistojnë në ndërtimin e ambjenteve të mbrojtura për prodhimin e produkteve bujqësore, prodhimin si dhe shitjen me shumicë dhe pakicë të produkteve bujqësore, brënda dhe jashtë Shqipërisë. Shoqëria synon penetrimin e shpejtë dhe të sigurtë në tregun e prodhimit dhe shitjes së produkteve bujqësore jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë, me qellim eksportin e produkteve bujqësore, tek kontraktorë të huaj me të cilët aktualisht shoqëria ka lidhur urat e bashkëpunimit për të ardhmen.

“Agrocon Albania”, me një investim në fazën e parë prej 5 milionë euro, po ngre serat më të mëdha në vend me shtrirje deri në 10 hektarë dhe vlerë totale investimi 25 milionë euro në përfundim të projektit. Aktiviteti i kompanisë përfshin një numër zinxhir procesesh, që nga investimi në prodhimin e produkteve bujqësore në ndërtimi e një qendre të madhe të grumbullimit dhe procesimit të tyre si selektimi dhe ambalazhimi, me qëllim eksportin, kryesisht në tregjet e Europës Perëndimore.

“Jemi në fazën e ndërtimit dhe në total do të shkojë në 10 hektarë sera. Serat janë të teknologjisë së lartë. Për produktin shqiptar ka një kërkesë jashtëzakonisht të madhe të eksportit. E rëndësishme është të plotësohet standardi dhe sasia,” – u shpreh përfaqësuesi i kompanisë, Florian Lama.

Shoqëria “Agrocon Albania” mbështetet në këtë sipërmarrje nga grupi Balfin nga ana financiare, logjistike, në ekspertizë si dhe në njohuri dhe informacion. Grupi Balfin është një ndër grupet private investuese më të mëdha në Shqipëri dhe rajon. Me fillesat e veta që në vitin 1993 në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, tashmë ka krijuar një reputacion si Grupi më aktiv dhe inovator falë investimeve të suksesshme duke transformuar dhe revolucionarizuar jo vetëm tregun por edhe sjelljen e konsumatorëve. Me mbështejten e Balfin, “Agrocon Albania” synon qe te bëhet një nga lojtarët kryesorë në fushën e investimeve në bujqësi duke kërkuar aplikimin e teknologjise më të përparuar si dhe me vendosjen e një standarti të ri në vend në këtë drejtim.

Kryeministri Edi Rama teksa ka qenë sot në serat në Lushnje, ka theksuar se, Fondi Kombëtar i Garancisë në bujqësi prej 300 milionë euro do të ofrojë mbështetje për kreditim nga bankat, me fokus edhe investimet për shtimin e sipërfaqes së mbjellë në sera dhe teknologjive inovative.